"Ditë e Hapur“ për të punësuarit dhe familjet e tyre me rastin e Ditës së Agjencisë për Siguri Kombëtare

Shkup, 31.08.2026 - Në kuadër të shënimit të Ditës së Agjencisë për Siguri Kombëtare, për herë të parë u organizua një „Ditë e Hapur“ e veçantë, e konceptuar si mundësi që familjarët e të punësuarve të njihen më nga afër me institucionin në të cilin më të afërmit e tyre çdo ditë e ushtrojnë detyrën e tyre profesionale.

Ngjarja u organizua në një kuadër rreptësisht të përcaktuar dhe të kontrolluar, me respektim të plotë të protokolleve të sigurisë, parimeve të konfidencialitetit dhe mbrojtjes së informacionit të klasifikuar, të cilat mbeten bazë e punës së Agjencisë.

„Shënimi i sotëm i kësaj dite i kushtohet para së gjithash njerëzve që çdo ditë mbajnë përgjegjësinë e një profesioni jashtëzakonisht të ndjeshëm dhe të rëndësishëm. Njëkohësisht, dëshiruam që, në mënyrë simbolike dhe të organizuar me kujdes, t’u shprehim mirënjohje edhe familjeve të të punësuarve tanë, të cilat janë mbështetja e tyre më e madhe“, theksoi drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, mr. Bojan Hristovski.

Të punësuarit dhe familjet e tyre patën mundësi të shoqërohen në një atmosferë të ngrohtë dhe të këndshme, ndryshe nga përditshmëria e tyre. Përmes përmbajtjeve të përshtatshme, prezantimeve historike dhe institucionale, një filmi dokumentar dhe aktiviteteve të dedikuara për familjet, u prezantua roli i Agjencisë, pa hyrë në aspektet operative të punës së saj, por duke theksuar rolin që ajo ka sot në sistemin e sigurisë kombëtare.

Puna në sektorin e sigurisë nënkupton një shkallë të lartë përgjegjësie, disiplinë profesionale dhe konfidencialitet, ndërsa në shumë raste edhe pamundësi që detyrimet dhe sfidat profesionale të ndahen me më të afërmit. Pikërisht për këtë arsye, Dita e Agjencisë ishte një mundësi që institucioni t’u shprehë mirënjohje të punësuarve, të cilët detyrat e tyre i kryejnë larg syrit të publikut, me një shkallë të lartë të përgjegjësisë personale dhe profesionale, si dhe familjeve të tyre, të cilat çdo ditë qëndrojnë pranë tyre.

„Pas çdo institucioni të fuqishëm qëndrojnë njerëzit. Ndërsa pas të gjithë atyre qëndron shtylla e familjes, si bazë mbi të cilën ndërtohet një shtet i qëndrueshëm dhe prosperues“, theksoi drejtori Hristovski.

sqAL