Agjencia për Siguri Nacionale, në koordinim me institucionet tjera kompetente, në mënyrë të vazhdueshme ndërmerr aktivitete për zbulimin dhe pengimin e një rrjeti propagandistik në vend, i cili ka një agjendë destruktive dhe keqdashëse me qëllim të ushtrimit të ndikimit mbi diskursin publik, në favor të interesave të huaja.
Në kuadër të aktiviteteve të përbashkëta dhe të koordinuara të ASN-së, MPB-së dhe PThP-së, më 18.09.2026 janë ndërmarrë veprime hetimore ndaj një shtetasi maqedonas, i cili është i ndërlidhur me faktorë të huaj, të cilët janë krijues të një aparati propagandistik me një rrjet portalesh të integruara edhe në hapësirën mediatike maqedonase.
Për shkak të dyshimit të bazuar se është kryer vepra penale „Shkaktimi i urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit kombëtar, racor dhe fetar“, sipas nenit 319 të Kodit Penal, „Zbulimi i sekretit zyrtar“, sipas nenit 360 të Kodit Penal, si dhe „Përhapja e materialit racist dhe ksenofobik përmes sistemit kompjuterik“, sipas nenit 394-g të Kodit Penal, është kryer bastisje në shtëpinë e tij, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar sende, të cilat aktualisht janë objekt i ekspertizës së mëtejshme.
Aktorët e vërtetë të këtij rrjeti propagandistik, i cili është në funksion të interesave ruse, fshihen pas pseudo-portaleve të klonuara, të regjistruara me domen interneti maqedonas. Përmes këtyre pseudo-portaleve përhapen lajme të rreme dhe dezinformata, si dhe bëhet riformësimi i narrativave për ngjarjet aktuale, duke minuar besimin në institucionet dhe duke nxitur urrejtje dhe mosdurim etnik e kombëtar.
Aktivitetet e sipërpërmendura janë vazhdimësi e aktiviteteve hibride proruse, të penguara më parë, të një shtetasi maqedonas, i cili është i ndërlidhur me këto rrjete propagandistike dhe ndaj të cilit është paraqitur edhe kallëzim penal për veprën penale „Përhapja e materialit racist dhe ksenofobik përmes sistemit kompjuterik“, sipas nenit 394-g të Kodit Penal.
Agjencia, në kuadër të kompetencave të saj, do të vazhdojë të ndërmarrë aktivitete në drejtim të zbulimit dhe parandalimit të aktiviteteve subversive-propagandistike përmes rrjetit të portaleve të ndërlidhura me struktura politike rajonale proruse, përmes të cilave drejtpërdrejt minohen proceset strategjike eurointegruese të vendit.