Aktivitet i parandaluar i një grupi kriminalo-fetar radikal

Agjencia për Siguri Nacionale, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, më 28.09.2026 ndërmori masa për parandalimin e aktiviteteve të personave të diferencuar me interes për sigurinë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale sipas nenit „394-b“ të Kodit Penal Terrorizëm dhe nenit „396“ të Kodit Penal Prodhim, mbajtje dhe tregti e palejuar me armë ose lëndë shpërthyese.

Në kuadër të aksionit operativ, janë privuar nga liria gjithsej pesë persona. Me këtë rast, janë kryer kontrolle në disa lokacione në territorin e Shkupit, përkatësisht në fshatin Singeliq, Çair dhe fshatin Brest, gjatë të cilave janë gjetur dhe sekuestruar sasi armësh të paligjshme, pistoleta, pushkë automatike, municion, jelekë taktikë dhe pajisje të tjera, material propagandistik të organizatës terroriste ndërkombëtare „Shteti Islamik“, pajisje kompjuterike për „minimin“ e kriptomonedhave, si dhe dokumentacion tjetër.

Bëhet fjalë për një grupim fetar radikal, të ndërlidhur me organizata kriminale transnacionale, i cili lidhet me vepra të dhunshme, zhvatje, rrëmbime, fajde, tregti të paligjshme me narkotikë, tregti me armë dhe aktivitete të tjera kriminale. Elementi radikal islamik është një karakteristikë e përbashkët e shumicës së anëtarëve të grupit, përkatësisht ata janë ndjekës ideologjikë të imamëve radikalë, të cilët janë përkrahës dhe promovues të organizatave terroriste ndërkombëtare. Njëkohësisht, disa prej personave të arrestuar kanë lidhje të ngushta me luftëtarë të huaj terroristë nga vendi dhe rajoni.

Indoktrinimi i të rinjve nga ana e anëtarëve të spikatur të grupit përbën një modus operandi që zbatohet në mënyrë të vazhdueshme. Objektet fetare ku praktikohet islami radikal, si dhe radikalizimi në internet, paraqesin nxitësit fillestarë për rekrutimin e të rinjve, të cilët më pas integrohen në aktivitete të caktuara kriminale të grupimit.

sqAL