Shkup, 31.08.2026, Në prani të Kryetarit të Qeverisë, prof. dr. Hristijan Mickoski, Kryetarit të Kuvendit, mr. Afrim Gashi, përfaqësuesve më të lartë të kreut shtetëror dhe korit diplomatik në vend, përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, shërbimeve partnere dhe mediave, në Operën dhe Baletin Kombëtar u shënua solemnisht Dita e Agjencisë për Siguri Kombëtare.
Ceremonia iu kushtua zhvillimit institucional të Agjencisë, rolit të saj në sistemin bashkëkohor të sigurisë kombëtare, por mbi të gjitha profesionistëve të cilët çdo ditë, larg syrit të publikut, kryejnë një nga detyrat më të përgjegjshme në shtet – mbrojtjen e interesave kombëtare, rendit kushtetues dhe sigurisë së qytetarëve.
“Siguria kombëtare nuk është vetëm një detyrim institucional. Ajo është përgjegjësi ndaj shtetit, qytetarëve dhe brezave që vijnë. Forca jonë janë njerëzit, profesionistët të cilët punën e tyre e kryejnë me përkushtim, disiplinë dhe integritet të lartë, të vetëdijshëm se një pjesë e madhe e kontributit të tyre nuk do të jetë kurrë e dukshme për publikun. Pikërisht këtu qëndron madhështia e shërbimit të tyre ndaj shtetit”, theksoi Drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, mr. Bojan Hristovski.
Një veçanti të rëndësishme ceremonisë solemne i dha shfaqja premierë e filmit dokumentar kushtuar historisë dhe zhvillimit të shërbimit të sigurisë, që nga fillimet e tij, përmes periudhave kyçe historike dhe institucionale, deri te Agjencia bashkëkohore për Siguri Kombëtare. Përmes materialeve arkivore, dëshmive dhe mesazheve të bashkëpunëtorëve dhe partnerëve vendorë e ndërkombëtarë, filmi dokumentar paraqiti përgjegjësinë e vazhdueshme të shërbimit të sigurisë në mbrojtjen e shtetit, si dhe transformimin e tij në përputhje me sfidat dhe standardet bashkëkohore të sigurisë.
Në fjalimin e tij, Drejtori paralajmëroi edhe hapat e ardhshëm të rëndësishëm në zhvillimin e Agjencisë, ndër të cilët edhe themelimin e Qendrës për Trajnim të ASK-së, si mekanizëm sistemor për edukim të vazhdueshëm, avancim profesional dhe krijimin e gjeneratave të reja të kuadrove të mirëtrajnuara të sigurisë.
“Sfidat e sigurisë sot ndryshojnë me një dinamikë të tillë me të cilën deri më tani nuk jemi përballur. Prandaj, një shërbim i fuqishëm nuk ndërtohet vetëm me teknologji dhe burime, por mbi të gjitha me dije, kapacitete analitike dhe njerëz të cilët vazhdimisht zhvillohen. Qendra për Trajnim duhet të jetë investim pikërisht në burimin më të rëndësishëm – njeriun, dijen dhe kapacitetin e ardhshëm të sistemit maqedonas të sigurisë”, shtoi Drejtori i ASK-së, mr. Bojan Hristovski.
Në kuadër të ceremonisë u prezantua edhe botimi i parë i publikimit “Vlerësimi i sigurisë për vitin 2027”, si dokument strategjik i Agjencisë, kushtuar sfidave të sigurisë me të cilat përballet shteti. Dokumenti paraqet një vështrim analitik të sistematizuar mbi mjedisin bashkëkohor të sigurisë, rreziqet dhe tendencat që mund të kenë ndikim mbi sigurinë kombëtare, si dhe bazë për forcimin e mëtejshëm të funksionit strategjik dhe analitik të institucionit. Me publikimin e tij, Agjencia vendos një praktikë të re të shqyrtimit strategjik të mjedisit të sigurisë dhe krijimit të njohurive institucionale, të cilat do të kontribuojnë në identifikimin dhe kuptimin në kohë të kërcënimeve bashkëkohore.
Shënimi i Ditës së Agjencisë për Siguri Kombëtare përcolli një mesazh të qartë për vazhdimësi, profesionalizëm dhe zhvillim, se mbrojtja e shtetit kërkon institucione të fuqishme, kapacitete bashkëkohore, vizion strategjik dhe njerëz të cilët detyrën e tyre profesionale e vendosin në shërbim të interesit kombëtar.
Agjenci e fuqishme do të thotë sistem i fuqishëm i sigurisë. Ndërsa një sistem i fuqishëm i sigurisë është një nga themelet e një shteti të qëndrueshëm dhe të sigurt.






