Agjencia e Sigurisë Nacionale në vazhdimësi ndjek zhvillimet që kanë të bëjnë me kërcënimet dhe sfidat globale të sigurisë me të cilat përballet Evropa dhe rajoni gjatë periudhës së fundit. Që nga fillimi i vitit 2026, Agjencia, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Inteligjencës së Greqisë dhe shërbime të tjera partnere, si dhe në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme – Byronë e Sigurisë Publike (MPB-BSP), në nivel nacional, ka ndërmarrë aktivitete për zbulimin e qëllimeve dhe planeve të personave të ndërlidhur me faktorë të huaj/iranianë, për kryerjen e akteve terroriste.
Në këtë drejtim, Agjencia ndërmori një sërë aktivitetesh operative-teknike dhe analitike, me qëllim zbulimin e një rrjeti proksi nga vendi, të ndërlidhur me shtetasin iranian Edris Jahangiri Mavaneh, i identifikuar si person me lidhje me aktorë të tjerë proksi të shërbimeve iraniane të sigurisë dhe inteligjencës, përfshirë edhe lidhjet e tij me bosin e narkotikëve Naji Sharifi Zindashti.
Sa i përket rrjetit në Maqedoninë e Veriut, bëhet fjalë për persona të konsoliduar në struktura kriminale në vend, të cilët, me udhëzime të drejtpërdrejta nga shtetasi iranian, ndërmorën aktivitete përgatitore logjistike për kryerjen e një akti terrorist/atentati ndaj një personi në Greqi.

Në kuadër të koordinimit dhe shkëmbimit të informacioneve me shërbimet partnere të huaja, u zbulua modus operandi i tyre, që përfshinte mbajtjen e takimeve konspirative në territorin e vendeve të treta, përfshirë edhe Iranin. Me këtë rast, u konfirmuan lidhjet me shtetasin iranian, i cili është organizatori kryesor i aksionit të planifikuar terrorist. Informacionet tregojnë se bëhet fjalë për një person që ka një rrjet të gjerë aktorësh proksi dhe kontakte me një person me interes të lartë për shërbimet e sigurisë, përkatësisht, ai është bashkëpunëtor i shërbimeve iraniane të sigurisë dhe inteligjencës.
Këto lidhje, si dhe fakti se gjatë periudhës së fundit disa vende janë përballur me kërcënime dhe sulme terroriste nga aktorë proksi iranianë, ndërlidhen me përpjekjet e shërbimeve iraniane të inteligjencës për të fshehur përfshirjen e tyre përmes rrjeteve kriminale proksi në vende të treta, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut.
Agjencia, në kuadër të kompetencave të saj, mbetet e përkushtuar në ruajtjen e sigurisë nacionale dhe do të vazhdojë me aktivitetet për zbulimin dhe parandalimin e kërcënimeve të mundshme terroriste përmes elementeve proksi nga Irani, si dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjetet proksi iraniane.