Aktivitete kundërterrorizmit të AKS-së ndaj një grupi të organizuar të lidhur me një rrjet ndërkombëtar terrorist.

Më 16 qershor 2026, në një aksion të koordinuar të Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, nën drejtimin e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në kuadër të procedurës paraprake hetimore lidhur me veprën penale “Organizatë Terroriste” nga neni 394-a i Kodit Penal, u kryen kontrolle në disa lokacione në territorin e Qytetit të Shkupit. Gjatë kontrolleve u gjetën dhe u sekuestruan pajisje digjitale dhe pajisje të tjera elektronike.

Në kuadër të procedurës janë përfshirë pesë persona, për të cilët ekziston dyshim i bazuar se kanë kryer veprën penale “Organizatë Terroriste” nga neni 394-a i Kodit Penal, dhe ndaj tyre është paraqitur kallëzim penal pranë prokurorisë publike kompetente.

Për dy nga personat e përfshirë në kallëzimin penal është caktuar masa e paraburgimit, përkatësisht arresti shtëpiak, ndërsa tre personat e tjerë aktualisht po vuajnë dënim me burg ose ndodhen në paraburgim në institucionet korrektuese-ndëshkuese për vepra penale të lidhura me terrorizmin.

Aktivitetet e lartpërmendura janë ndërmarrë në bazë të informacioneve të siguruara paraprakisht nga Agjencia për Siguri Kombëtare, si dhe të informacioneve të siguruara në kuadër të bashkëpunimit strategjik ndërkombëtar.

Sipas informacioneve me të cilat disponon Agjencia për Siguri Kombëtare, personat në fjalë, si mbështetës ideologjikë të organizatës terroriste “Shteti Islamik”, gjatë periudhës së kaluar kanë zhvilluar aktivitete për krijimin e lidhjeve me kanalet mediatike dhe propaganduese të kësaj organizate, si dhe për krijimin e një rrjeti lokal përmes të cilit kanë shpërndarë narrativa ekstremiste dhe të dhunshme, me qëllim nxitjen e aktiviteteve terroriste në vend. Si pjesë e këtij grupi, ata kanë ofruar edhe mbështetje logjistike për persona të tjerë, të cilët më herët kanë qenë objekt i aktiviteteve kundër terrorizmit nga Agjencia.

Agjencia për Siguri Kombëtare mbetet e përkushtuar ndaj funksionit të saj parësor parandalues, duke punuar për pengimin efikas dhe në kohë të rreziqeve dhe kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare, me qëllim mbrojtjen e rendit kushtetues dhe sigurisë së qytetarëve.

sqAL