
Më 1 shtator 2025, në Klubin e Deputetëve në Shkup, solemnisht u shënua Dita e Agjencisë për Siguri Kombëtare (ASK).
Të pranishmit në ngjarje patën mundësi të njihen me punën e deritanishme të Agjencisë, rezultatet e arritura, projektet aktuale dhe planet e ardhshme, ndërsa në ceremoninë solemne morën pjesë Kryeministri Hristijan Mickoski, Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, ministra, drejtorë institucionesh, deputetë, përfaqësues të pushtetit gjyqësor, opinionit akademik dhe profesional, trupit diplomatik, si dhe partnerë ndërkombëtarë e strategjikë të Agjencisë.
(Përkthimi në anglisht është i disponueshëm)
Drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, z. Bojan Hristovski, në fjalën e tij theksoi nevojën e përhershme për avancim dhe investim në burimet njerëzore, teknike dhe materiale për përballje të suksesshme me sfidat e sigurisë bashkëkohore.




„Kjo paraqet një mundësi të shkëlqyer që të bëjmë një rekapitulim të gjithçkaje që është realizuar, por edhe të paraqesim planet dhe idetë e ardhshme. Gjatë vitit të kaluar, përveç rezultateve operative të arritura, paralelisht kemi tejkaluar edhe mangësitë e hasura. Po realizojmë plotësim kadrovik, kemi forcuar kontrollin mbi punën e Agjencisë dhe po investojmë në pajisje teknologjike dhe infrastrukturë, në përputhje me standardet e NATO-s dhe BE-së,“ theksoi drejtori Hristovski. Ai potencoi se Agjencia e ka përmbushur edhe obligimin nga Ligji për ASK – futjen e testimit me poligraf në procesin e përzgjedhjes së kuadrove dhe kontrollimin e integritetit profesional të të punësuarve. Gjithashtu, janë realizuar disa aksione operative të suksesshme me të cilat janë penguar qëllime terroriste dhe aktivitete të grupeve kriminale me karakter transnacional. „Puna jonë nuk shihet, nuk dëgjohet, nuk paralajmërohet. Por ajo është këtu – dhe falë saj, qytetarët mund të jetojnë dhe të krijojnë pa frikë. Misioni ynë është i përmbushur kur kemi shtet të sigurt dhe qytetarë të sigurt,“ shtoi Hristovski, duke i ftuar qytetarët ta përdorin mjetin e ri për kontakt në faqen zyrtare të ASK-së dhe të përfshihen në parandalimin e kërcënimeve përmes besimit dhe mbështetjes ndaj institucionit.





Në shenjë falënderimi për mbështetjen, në ceremoninë solemne u ndanë pllaketa për përfaqësues të pushtetit shtetëror dhe institucioneve, ndërsa punonjësve të ASK-së iu ndanë mirënjohje për punën dhe përkushtimin e tyre profesional. Me shënimin e Ditës së Agjencisë për Siguri Kombëtare edhe një herë u konfirmua misioni i ASK-së – të jetë institucion modern, i pavarur, transparent dhe profesional, me detyrë themelore mbrojtjen e shtetit dhe sigurinë e qytetarëve.
